

Teksa po i rilexoja, të përmbledhura në një libër, pra duke bërë një jetë të dytë, më të sigurt, kuptova se tërësia e librit, për lexuesin, është një gjendje letrare tjetër, me gjasë një gjendje specifike e mendimit, të shqiptuar si kritikë, studime të thelluara, si një parakusht që sendërgjon larminë shprehëse, që e shkrifton mendimin kritik dhe studimor...
...
Siparin e analizës studimore e ngre me interpretimin e romanit Oh, të mjeshtrit të letërsisë moderne shqipe. Mendoj se qasja ndaj këtij teksti është më e plota, më e thella, që kam lexuar ndër shqyrtimet kritike dhe studimore, për këtë roman. Përqendrimi te fjala, rrëfimi, grimcimi i personazheve dhe “fabulës”, realizuar me kaq densitet mendimi, më solli ndërmend pohimin e Pashkut, kur shkruan, te eseja “Mbi komunikimin poetik”: “... Dhe kjo, s’do mend që nuk mund të arrihet ndërmjet komunikimit normal gjuhësor. Se aty fjalët janë të mbyllura si në guacën e konvencave. Puna e parë që bën komunikimi poetik është thyerja e guacës dhe çlirimi i tyre”, një kod autorial ky, që në ligjërimin e punimit studimor, shprehet brenda kësaj atmosfere.
Behar Gjoka
Natasha ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie, është autore tekstesh shkollorë, me shkrimet e saj kritike ka dhënë e jep ndihmesë në vlerësimin e letërsisë shqipe bashkëkohore. Në analizat, recensionet, esetë, apo komentet e saj të zgjeruara vihet re një gjuhë e pasur, e mençur dhe shpesh herë poetiko-funksionale, gjë që ua rrit vlerat punimeve të saj.
Petraq Risto